Monday 9 March 2009

Zonjusha e papërlyer

Zonjusha A. sapo kishte mbushur të shtatëmbëdhjetat. Kishte dëgjuar për Klubin e Zonjushave të papërlyera dhe i ishte bërë ide fikse: të bëhej anëtare e atij Klubi.

Ishte e bukur, shumë e bukur. Veç kësaj, dhe e virgjër. U lidh me një nga zonjushat e papërlyera dhe morri prej saj informacionet e duhura. Ajo u bë dhe rekomanduesja e saj e parë për në Klub.

Plot besim u paraqit në Pallatin e ëndërruar. Ishte një ndërtesë e madhe me shumë korridore e shumë kthesa. Si një labirint. E çuan në një sallë boshe.

--“Je para Komisionit„ - i thanë.
--“Nuk shoh njeri këtu!„ - foli ajo e hutuar.
--“Eshtë pas Pasqyrës së Madhe, - i thanë. - Komisioni të sheh dhe të dëgjon.„

Audienca ishte e shkurtër.

--“Në është e thënë nga Zoti, do të bëhet, - ishte miratimi prej Komisionit, që iu komunikua prej një mikrofoni. - Vetëm që ti të kesh besim tek Ai. Zonjushën F. do ta kesh gjithmonë pranë. Mbaruam„.

Ajo ngeli si e tulatur. Pothuajse nuk kishte marrë vesh asgjë.

--“Shkojmë! - i tha rekomanduesja F. - Gjithçka në rregull. Të tjerat do t'i them unë„.

Sprovat nëpër të cilat do të kalonte në periudhën e parë, kishin të bënin me besimin fetar. Do të ishte një periudhë as e gjatë, as e shkurtër dhe do të kalonte nga kishat, manastiret, institucionet bamirëse; në seminare shkollash teologjike etj. Kërkohej përkushtim, përulësi dhe përkore. Tri P-ëtë e mëdha (Nën zë, kjo periudhë quhej periudha e Për-për-për-it.)

Ajo nuk linte detyrë pa plotësuar dhe u bë besimtare e devotshme. Ia kalonte edhe zonjushës F. për devotshmëri.

“Jo dhe kaq fanatizëm!„ - i tërhiqte vërejtjen ajo.

Erdhi koha e paraqitjes në Komision dhe provimi i parë u vlerësua plotësisht i suksesshëm. Ndërkaq kishin kaluar disa vjet. Vitet më të mira të rinisë.

Sprovat e periudhës së dytë kishin të bënin me paraqitjen. Ajo do të kalonte nga floktoret, sallonet e kozmetikës dhe institutet e estetikës. Rekomandimet do të ishin nga zonjusha P.

Mëdyshjet dhe vështirësitë ishin të shumta. Së pari, sepse sprovat, sikurse dhe në periudhën e parë, pengonin një zhvillim natyral për moshën, së dyti, se, herë-herë, binin ndesh me konceptin e saj për një zonjushë të papërlyer, siç e kishte ëndërruar ajo.

Veç këtyre kishte një mospërputhje me disa norma të marra në periudhën e parë. Kjo i shkaktonte shumë habi.

“Nuk ka asgjë për t'u habitur, - i thoshte rekomanduesja P. - Bota është e mbushur me kontradita. Ne duhet të gjejmë mesin e artë.„

Ishte një periudhë e gjatë dhe rraskapitëse, sepse shoqërohej me një regjim të fortë në dietën ushqimore. Nuk munguan traumat shëndetësore e sidomos ato shpirtërore. Veç kësaj, i kërkohej dhe propagandë tek njerëzit, sidomos të moshës së tretë, në mënyrë që të shkonin në botën tjetër, fizikisht dhe shpirtërisht “të purifikuar„, - siç i thoshin. Matës për vlerësimin e kësaj pune, ishin “dhuratat„ që i vinin Klubit.

Sidoqoftë, rekomanduesen P. e kishte pranë, gjithmonë pranë. Dikur detyrat ishin realizuar dhe Komisioni (gjithmonë pas Pasqyrës së Madhe) dha dritën jeshile për fazën tjetër. Ajo kishte të bënte me gruan moderne.

Gruaja moderne! Vetëm ta dëgjosh, sesi ndihesh. Pale ta jetosh! Mirëpo, duke qenë në moshë të pjekur tashmë, shpesh ngurron dhe stepet. “Mos është ky një tundim? Mos është nje “devijim„ nga synimi i saj, nga normat me të cilat u rrit?„. “Nuk ka asnjë tundim, asnjë “devijim„, - i thoshte rekomanduesja e re, zonjusha D. Duhet të gjejmë “mesin e artë„.

(Përsëri e përsëri “Mesi i Artë„!! Me sa kishte kuptuar ajo, “mesi i artë„ do thoshte që gjysma e gjësë së vjedhur i takon vjedhësit, gjysma pronarit.)

Sprovat e reja do të kalonin nga sallonet e modës dhe palestrat, si dhe nga kurset e gjuhëve të huaja. Çuditërisht, do të ndiqte dhe seminare për një temë që deri atëhere, kishte qenë tabu për të: për edukatën seksuale. Asaj i mungon përvoja e bashkëmoshatareve në këtë drejtim; nuk pati lidhje dashurore, nuk krijoi familje. Por për këtë s'i vjen keq. Përkundrazi, ndihet e lumtur dhe krenare. Sepse ajo pati tjetër ideal, tjetër synim: të bëhej nje zonjushë e papërlyer.

Mëdyshjet, sikurse dhe në periudhën e dytë, përsëri ishin të mëdha, dhe për t'i kapërcyer ato, duheshin dhe kompromise të hidhura (në disa raste tepër të hidhura) dhe të vazhdueshme. Themi “të hidhura„ sepse ato trondisnin konceptin e saj për “zonjushën e papërlyer„ dhe ato për të cilat ishte sprovuar deri tani. Dhe më keq akoma; kur cënohej dinjiteti i saj moral dhe njerëzor.

“Është çështje koncepti, - i thoshte rekomanduesja D. - Do të kalojë. Jemi shumë afër realizimit të Endrrës. Mos harro “mesin e artë„! Ke bërë shumë hapa para, por ke akoma shumë rrugë para.„

Një ditë i tha të përgatitej për një sprovë të veçantë: të paraqitjes dhe... të tundimit. Për këtë duhej të vishte rrobat më të mira. Të jashtmet dhe... të brendshmet(?!).

U futën në një sallë të vogël ngjyrë rozë. Vetëm ato të dyja. “Shumë bukur! Domethënë, bukur! Por duhet akoma shumë punë.„ Zonjusha kandidate nuk e morri vesh se përse i tha ato fjalë rekomanduesja D.

--Tani zhvishu! - i tha ajo. - Të të shohim me të brendshmet.

Zonjusha kandidate ngurroi.

--Hiqi! Hiqi! - urdhëroi D.

Pasi A. u zhvesh dhe u rrotullua disa herë )sipas urdhrit), rekomanduesja D. i tha:

--Hiqi dhe ato tani!

Zonjusha A. u step.

--Por...

--S'ka “por„. Çështje koncepti është... Prit se do të ndihmoj dhe unë.

Pak çaste më vonë ishte zhveshur krejt edhe rekomanduesja D.

--Kthehu nga ana tjetër! - i tha. Është nje test i rëndësishëm, testi i reagimit në kontakt me trupat e tjerë. Mos lëviz!

Iu afrua nga pas dhe puthiti plotësisht pjesën e parme të trupit të saj me pjesën e pasme te trupit të zonjushës A. Kjo e fundit u trondit, u drodh dhe ishte gati të binte, por rekomanduesja D. e kishte pushtuar fort në krahët e saj dhe e kishte bërë pothuajse pjesë të trupit të saj. Pastaj kishin ndërruar pozicione e role. Zonjusha A. ndihej midis nje molisjeje dhe kënaqësie pasive. As që mund ta përcaktonte sa zgjati...

--Testi i tundimit ishte i suksesshëm, - ishte konstatimi.

Testi më i dhimbshëm do të vinte pas disa muajsh. Ai ishte “testi i virgjërisë„ nëpërmjet zhvirgjërimit. “Është një test përfundimtar, i domosdoshëm, sine kua non.„ - i tha rekomanduesja D.

--Por... - kishte dashur të fliste zonjusha A.

--S'ka por, - ia kishte prerë rekomanduesja. - Është çështje koncepti. Mos harro kurrë qëllimin për të cilin punojmë. Mos harro sakrificat! Mos harro mundin, djersën! Tani duhet vetëm pak dhembje dhe pak... gjak që vulos gjithçka. Mos harro mesin e artë! Mes dy gjërave, zgjidh të keqen më të vogël...

--Por ai është burrë... - mezi arriti të thotë zonjusha A.

--Është njeriu ynë, anëtar i jashtëm i Klubit, - ia preu përsëri rekomanduesja D.

Testi u realizua në një dhomë të regulluar për raste të tilla. Sigurisht, nuk mungonin çarçafët e bardhë.

Ishte një test me dhembje të shumëfishtë për zonjushën A. Veç kësaj, me pasoja të mëvonshme. “Zotnia i papërlyer„ nuk kishte zbatuar siç duhet, “parametrat„ e parashikuara për testin. A ishte kritikuar për “gabim teknik„, madje dhe për abuzim. (Sidoqoftë, ai vazhdon të jetë anëtar i jashtëm i Klubit dhe të ushtroje funksionet e tij.)

Pasojat do të ishin për zonjushën A. Ato rezultuan pas disa javësh... Pikërisht, në këtë kohë, ajo u ftua të dilte paa Komisionit; d.m.th. para Pasqyrë së Madhe.

--Pranohesh! - dëgjoi një zë disi të njohur.

--Pranohesh! - dëgjoi një zë të dytë akoma më të njohur.

--Pranohesh! - dëgjoi një zë të tretë plotësisht të njohur.

E ftuan në dhomën e Komisionit, pas Pasqyrës së Madhe Atje pa rekomandueset F. P. dhe D., të cilat e pritën të ngritura në këmbë dhe me një buzëqeshje tepër të gjerë në fytyrë.

Zonjusha A. ndjeu një pështirosje te paprovuar. Asnjë nga rekomandueset nuk i kishte pëlqyer. Ato nuk përbënin aspak imazhin e zonjushës së papërlyer të fantazisë së saj. Veç kësaj, asnjë nga ato nuk kishte kaluar nëpër gjithë ato sprova që kishte kaluar ajo; as u ishte dashur të prisnin kaq shumë vite.

I erdhi për të vjellë dhe u sul drejt një banje që i treguan. Ndenji goxha atje. Stomaku i saj nuk kishte shumë për të nxjerrë, por neveria ishte e madhe, e pashqitshme. Kur ishte qetësuar dhe e kishte mbledhur veten disi, kishte freskuar dhe një herë fytyrën me ujë dhe po shikohej në pasqyrë.

Pamja e tronditi. Pasqyra e vogël tregonte atë që nuk mund të fshihej më: nuk ishte më një zonjushë. Ndërsa një pasqyrë e vockël brenda saj, i thoshte se... nuk ishte (nje zonjushë) e papërlyer...


---


Ll. K.

(C) Shënim Antiplagjiaturë: Autori ruan të gjitha drejtat e të gjithë shkrimeve në këtë blog. (All rights are reserved. Please do not plagiarise; do not copy or take any text from this blog, without the author's permission.)

Page copy protected against web site content infringement by Copyscape

No comments:

Post a Comment