Wednesday 11 March 2009

Arbër Gojëlidhuri

Në moshën e rinisë Arbër Gojëlidhuri kishte pësuar një tronditje të fortë shëndetësore.

Shumë mjekë e vizituan, por asnjë s'qe në gjendje të përcaktonte diagnozën, aq më tepër ta shëronte. I vetmi përmirësim që u arrit, ishte që pas ca kohësh të shqiptonte një tingull, tingullin “d„.

Mjekë të tjerë erdhën e ikën, ose pritën e përcollën.

Një ditë erdhi një mjeke me emrin Dëshira. “Ndoshta tingulli d është tingulli i parë i një fjale që shpreh dëshirë„, tha ajo. Me këtë hamendje mjekja arriti që pacienti të shqiptonte një fjalë të plotë: fjalën “dua„. Por vetëm kaq, asgjë më tepër.

Kaluan kështu jo pak vite.

Dikur i ra rasti për ta vizituar një mjek i ri me emrin Votim. “Mos do të votojë?„ - tha mjeku me shaka. Mirëpo mjeku i ri e morri seriozisht shakanë e vet. Iu vu punës dhe, jo pa mundim, arriti që pacienti i tij të shqiptonte një fjalë tjetër: Dua të votoj. Por... më tej, asgjë përsëri.

Kaluan disa vjet të tjera. Një ditë e vizitoi një mjeke me emrin Liri. Kur i treguan historikun e përparimit të pakët, mjekes i shkrepi një mendim dhe e ndoqi me besim. Dy fjalëve të shqiptuara iu shtua një fjalë e tretë: Dua të votoj i lirë.

Njeriu u çel. Tani ai flet, del, punon, voton; jeton jetën si gjithë të tjerët. Por, ndonjëherë, një psherëtimë i del nga thellësitë e shpirtit:

--Ah, Nabe Qoftëlargu!

Askush s'e pyet se kush është Nabe Qoftëlargu. Sepse të gjithë e dinë.


---


Ll. K.

(C) Shënim Antiplagjiaturë: Autori ruan të gjitha drejtat e të gjithë shkrimeve në këtë blog. (All rights are reserved. Please do not plagiarise; do not copy or take any text from this blog, without the author's permission.)

Page copy protected against web site content infringement by Copyscape

No comments:

Post a Comment