Wednesday 11 March 2009

Arbër Gojëlidhuri

Në moshën e rinisë Arbër Gojëlidhuri kishte pësuar një tronditje të fortë shëndetësore.

Shumë mjekë e vizituan, por asnjë s'qe në gjendje të përcaktonte diagnozën, aq më tepër ta shëronte. I vetmi përmirësim që u arrit, ishte që pas ca kohësh të shqiptonte një tingull, tingullin “d„.

Mjekë të tjerë erdhën e ikën, ose pritën e përcollën.

Një ditë erdhi një mjeke me emrin Dëshira. “Ndoshta tingulli d është tingulli i parë i një fjale që shpreh dëshirë„, tha ajo. Me këtë hamendje mjekja arriti që pacienti të shqiptonte një fjalë të plotë: fjalën “dua„. Por vetëm kaq, asgjë më tepër.

Kaluan kështu jo pak vite.

Dikur i ra rasti për ta vizituar një mjek i ri me emrin Votim. “Mos do të votojë?„ - tha mjeku me shaka. Mirëpo mjeku i ri e morri seriozisht shakanë e vet. Iu vu punës dhe, jo pa mundim, arriti që pacienti i tij të shqiptonte një fjalë tjetër: Dua të votoj. Por... më tej, asgjë përsëri.

Kaluan disa vjet të tjera. Një ditë e vizitoi një mjeke me emrin Liri. Kur i treguan historikun e përparimit të pakët, mjekes i shkrepi një mendim dhe e ndoqi me besim. Dy fjalëve të shqiptuara iu shtua një fjalë e tretë: Dua të votoj i lirë.

Njeriu u çel. Tani ai flet, del, punon, voton; jeton jetën si gjithë të tjerët. Por, ndonjëherë, një psherëtimë i del nga thellësitë e shpirtit:

--Ah, Nabe Qoftëlargu!

Askush s'e pyet se kush është Nabe Qoftëlargu. Sepse të gjithë e dinë.


---


Ll. K.

(C) Shënim Antiplagjiaturë: Autori ruan të gjitha drejtat e të gjithë shkrimeve në këtë blog. (All rights are reserved. Please do not plagiarise; do not copy or take any text from this blog, without the author's permission.)

Page copy protected against web site content infringement by Copyscape

Tuesday 10 March 2009

Intervista

Gazetarja i tha se ligji i ri për pensionimin ka patur reagime nga pensionistet dhe nga shtypi, sepse i ndalon ata të merren me aktivitet ekonomik pas pensionimit, kur dihet se niveli i pensioneve është tepër i ulët sa...

Pushtetari ndërhyri menjëherë, pa u drejtuar akoma pyetja: Ajo s'është e vërtetë. Kjo është një shpifje e opozitës me qëllime të caktuara politike.

Ajo: Le ti lëmë ngjyrimet politike dhe le të bëjmë sqarimin e ligjit, sepse ndoshta janë paqartësitë ato që kanë shkaktuar këto reagime...

Ai: Jo. Nuk është kjo arsyeja. Ligji është shumë i qartë, por disa forca të opozitës, qëllimisht...

Ajo: Më falni. Le të flasim konkretisht për ligjin mbi pensionet.

Ai: Po. Së pari, duhet të sqarojmë c'janë pensionet, si sigurohen ato. Ato janë fryt i djersës së derdhur nga pensionistët gjatë viteve të punës së tyre...

Gazetarja ndërhyri: Pikërisht, meqë është djersa e tyre e akumuluar në vite, pse duhet të mos ketë të drejtë te punojë pas pensionimit duke u marrë me ndonjë aktivitet privat, për shkak të pensioneve qesharake?

Pushtetari: Lidhur me këtë, ka dy momente kryesore: E para, ligji i ri për pensionimin është i përkohshëm. Ai përligjet me numrin e kufizuar të vendeve të punës të kushtëzuara nga periudha e tranzicionit. E dyta, pensionistët mund të merren me aktivitet ekonomik por...

Gazetarja:... por duhet të humbasin pensionin, djersën e grumbulluar.

Pushtetari: Sigurisht, kjo është ekonomia e tregut...

Duke ndier se justifikimi i modës "ekonomia e tregut" ishte jashtë kontekstit, pushtetari shpejtoi: Por edhe pa humbur pensionin, pensionistët tanë të nderuar do të dinë të nxjerrin të ardhura për vete dhe për familjen e tyre. Mund të shkruajnë, të lexojnë... më falni, desha të thosha të shkruajnë në gazeta, të shkruajnë libra, studime, kujtime... nga mund të marrin të ardhura të konsiderueshme. Besoj se hodhëm dritë dhe e sqaruam problemin.

--Por... - foli e përhumbur gazetarja.

Dhjetë minuta më vonë gazetarja u paraqit te shefi.

--E more intervistën? - pyeti shefi.
--Edhe po, edhe jo... - u përgjigj e ligështuar gazetarja.
--S'të kuptoj.
--Formalisht, po. Por asnjë sqarim nuk u bë.
--Ta dëgjojmë! - foli shefi.

Gazetarja shtypi bytonin. Shefi dëgjonte regjistrimin jo fortë i përqendruar.

--Në regull, të transmetohet menjëherë, - tha.
--Si në regull?!
--Në regull do të thotë okej, va bene, endaksi... Mund të shkoni!

Gazetarja u nis. Afër derës u ndal nga kollitja e shefit:

--Herën tjetër... besoj se s'do të më zhgënjeni, vajzë.


---


Ll. K.

(C) Shënim Antiplagjiaturë: Autori ruan të gjitha drejtat e të gjithë shkrimeve në këtë blog. (All rights are reserved. Please do not plagiarise; do not copy or take any text from this blog, without the author's permission.)

Page copy protected against web site content infringement by Copyscape

Monday 9 March 2009

Zonjusha e papërlyer

Zonjusha A. sapo kishte mbushur të shtatëmbëdhjetat. Kishte dëgjuar për Klubin e Zonjushave të papërlyera dhe i ishte bërë ide fikse: të bëhej anëtare e atij Klubi.

Ishte e bukur, shumë e bukur. Veç kësaj, dhe e virgjër. U lidh me një nga zonjushat e papërlyera dhe morri prej saj informacionet e duhura. Ajo u bë dhe rekomanduesja e saj e parë për në Klub.

Plot besim u paraqit në Pallatin e ëndërruar. Ishte një ndërtesë e madhe me shumë korridore e shumë kthesa. Si një labirint. E çuan në një sallë boshe.

--“Je para Komisionit„ - i thanë.
--“Nuk shoh njeri këtu!„ - foli ajo e hutuar.
--“Eshtë pas Pasqyrës së Madhe, - i thanë. - Komisioni të sheh dhe të dëgjon.„

Audienca ishte e shkurtër.

--“Në është e thënë nga Zoti, do të bëhet, - ishte miratimi prej Komisionit, që iu komunikua prej një mikrofoni. - Vetëm që ti të kesh besim tek Ai. Zonjushën F. do ta kesh gjithmonë pranë. Mbaruam„.

Ajo ngeli si e tulatur. Pothuajse nuk kishte marrë vesh asgjë.

--“Shkojmë! - i tha rekomanduesja F. - Gjithçka në rregull. Të tjerat do t'i them unë„.

Sprovat nëpër të cilat do të kalonte në periudhën e parë, kishin të bënin me besimin fetar. Do të ishte një periudhë as e gjatë, as e shkurtër dhe do të kalonte nga kishat, manastiret, institucionet bamirëse; në seminare shkollash teologjike etj. Kërkohej përkushtim, përulësi dhe përkore. Tri P-ëtë e mëdha (Nën zë, kjo periudhë quhej periudha e Për-për-për-it.)

Ajo nuk linte detyrë pa plotësuar dhe u bë besimtare e devotshme. Ia kalonte edhe zonjushës F. për devotshmëri.

“Jo dhe kaq fanatizëm!„ - i tërhiqte vërejtjen ajo.

Erdhi koha e paraqitjes në Komision dhe provimi i parë u vlerësua plotësisht i suksesshëm. Ndërkaq kishin kaluar disa vjet. Vitet më të mira të rinisë.

Sprovat e periudhës së dytë kishin të bënin me paraqitjen. Ajo do të kalonte nga floktoret, sallonet e kozmetikës dhe institutet e estetikës. Rekomandimet do të ishin nga zonjusha P.

Mëdyshjet dhe vështirësitë ishin të shumta. Së pari, sepse sprovat, sikurse dhe në periudhën e parë, pengonin një zhvillim natyral për moshën, së dyti, se, herë-herë, binin ndesh me konceptin e saj për një zonjushë të papërlyer, siç e kishte ëndërruar ajo.

Veç këtyre kishte një mospërputhje me disa norma të marra në periudhën e parë. Kjo i shkaktonte shumë habi.

“Nuk ka asgjë për t'u habitur, - i thoshte rekomanduesja P. - Bota është e mbushur me kontradita. Ne duhet të gjejmë mesin e artë.„

Ishte një periudhë e gjatë dhe rraskapitëse, sepse shoqërohej me një regjim të fortë në dietën ushqimore. Nuk munguan traumat shëndetësore e sidomos ato shpirtërore. Veç kësaj, i kërkohej dhe propagandë tek njerëzit, sidomos të moshës së tretë, në mënyrë që të shkonin në botën tjetër, fizikisht dhe shpirtërisht “të purifikuar„, - siç i thoshin. Matës për vlerësimin e kësaj pune, ishin “dhuratat„ që i vinin Klubit.

Sidoqoftë, rekomanduesen P. e kishte pranë, gjithmonë pranë. Dikur detyrat ishin realizuar dhe Komisioni (gjithmonë pas Pasqyrës së Madhe) dha dritën jeshile për fazën tjetër. Ajo kishte të bënte me gruan moderne.

Gruaja moderne! Vetëm ta dëgjosh, sesi ndihesh. Pale ta jetosh! Mirëpo, duke qenë në moshë të pjekur tashmë, shpesh ngurron dhe stepet. “Mos është ky një tundim? Mos është nje “devijim„ nga synimi i saj, nga normat me të cilat u rrit?„. “Nuk ka asnjë tundim, asnjë “devijim„, - i thoshte rekomanduesja e re, zonjusha D. Duhet të gjejmë “mesin e artë„.

(Përsëri e përsëri “Mesi i Artë„!! Me sa kishte kuptuar ajo, “mesi i artë„ do thoshte që gjysma e gjësë së vjedhur i takon vjedhësit, gjysma pronarit.)

Sprovat e reja do të kalonin nga sallonet e modës dhe palestrat, si dhe nga kurset e gjuhëve të huaja. Çuditërisht, do të ndiqte dhe seminare për një temë që deri atëhere, kishte qenë tabu për të: për edukatën seksuale. Asaj i mungon përvoja e bashkëmoshatareve në këtë drejtim; nuk pati lidhje dashurore, nuk krijoi familje. Por për këtë s'i vjen keq. Përkundrazi, ndihet e lumtur dhe krenare. Sepse ajo pati tjetër ideal, tjetër synim: të bëhej nje zonjushë e papërlyer.

Mëdyshjet, sikurse dhe në periudhën e dytë, përsëri ishin të mëdha, dhe për t'i kapërcyer ato, duheshin dhe kompromise të hidhura (në disa raste tepër të hidhura) dhe të vazhdueshme. Themi “të hidhura„ sepse ato trondisnin konceptin e saj për “zonjushën e papërlyer„ dhe ato për të cilat ishte sprovuar deri tani. Dhe më keq akoma; kur cënohej dinjiteti i saj moral dhe njerëzor.

“Është çështje koncepti, - i thoshte rekomanduesja D. - Do të kalojë. Jemi shumë afër realizimit të Endrrës. Mos harro “mesin e artë„! Ke bërë shumë hapa para, por ke akoma shumë rrugë para.„

Një ditë i tha të përgatitej për një sprovë të veçantë: të paraqitjes dhe... të tundimit. Për këtë duhej të vishte rrobat më të mira. Të jashtmet dhe... të brendshmet(?!).

U futën në një sallë të vogël ngjyrë rozë. Vetëm ato të dyja. “Shumë bukur! Domethënë, bukur! Por duhet akoma shumë punë.„ Zonjusha kandidate nuk e morri vesh se përse i tha ato fjalë rekomanduesja D.

--Tani zhvishu! - i tha ajo. - Të të shohim me të brendshmet.

Zonjusha kandidate ngurroi.

--Hiqi! Hiqi! - urdhëroi D.

Pasi A. u zhvesh dhe u rrotullua disa herë )sipas urdhrit), rekomanduesja D. i tha:

--Hiqi dhe ato tani!

Zonjusha A. u step.

--Por...

--S'ka “por„. Çështje koncepti është... Prit se do të ndihmoj dhe unë.

Pak çaste më vonë ishte zhveshur krejt edhe rekomanduesja D.

--Kthehu nga ana tjetër! - i tha. Është nje test i rëndësishëm, testi i reagimit në kontakt me trupat e tjerë. Mos lëviz!

Iu afrua nga pas dhe puthiti plotësisht pjesën e parme të trupit të saj me pjesën e pasme te trupit të zonjushës A. Kjo e fundit u trondit, u drodh dhe ishte gati të binte, por rekomanduesja D. e kishte pushtuar fort në krahët e saj dhe e kishte bërë pothuajse pjesë të trupit të saj. Pastaj kishin ndërruar pozicione e role. Zonjusha A. ndihej midis nje molisjeje dhe kënaqësie pasive. As që mund ta përcaktonte sa zgjati...

--Testi i tundimit ishte i suksesshëm, - ishte konstatimi.

Testi më i dhimbshëm do të vinte pas disa muajsh. Ai ishte “testi i virgjërisë„ nëpërmjet zhvirgjërimit. “Është një test përfundimtar, i domosdoshëm, sine kua non.„ - i tha rekomanduesja D.

--Por... - kishte dashur të fliste zonjusha A.

--S'ka por, - ia kishte prerë rekomanduesja. - Është çështje koncepti. Mos harro kurrë qëllimin për të cilin punojmë. Mos harro sakrificat! Mos harro mundin, djersën! Tani duhet vetëm pak dhembje dhe pak... gjak që vulos gjithçka. Mos harro mesin e artë! Mes dy gjërave, zgjidh të keqen më të vogël...

--Por ai është burrë... - mezi arriti të thotë zonjusha A.

--Është njeriu ynë, anëtar i jashtëm i Klubit, - ia preu përsëri rekomanduesja D.

Testi u realizua në një dhomë të regulluar për raste të tilla. Sigurisht, nuk mungonin çarçafët e bardhë.

Ishte një test me dhembje të shumëfishtë për zonjushën A. Veç kësaj, me pasoja të mëvonshme. “Zotnia i papërlyer„ nuk kishte zbatuar siç duhet, “parametrat„ e parashikuara për testin. A ishte kritikuar për “gabim teknik„, madje dhe për abuzim. (Sidoqoftë, ai vazhdon të jetë anëtar i jashtëm i Klubit dhe të ushtroje funksionet e tij.)

Pasojat do të ishin për zonjushën A. Ato rezultuan pas disa javësh... Pikërisht, në këtë kohë, ajo u ftua të dilte paa Komisionit; d.m.th. para Pasqyrë së Madhe.

--Pranohesh! - dëgjoi një zë disi të njohur.

--Pranohesh! - dëgjoi një zë të dytë akoma më të njohur.

--Pranohesh! - dëgjoi një zë të tretë plotësisht të njohur.

E ftuan në dhomën e Komisionit, pas Pasqyrës së Madhe Atje pa rekomandueset F. P. dhe D., të cilat e pritën të ngritura në këmbë dhe me një buzëqeshje tepër të gjerë në fytyrë.

Zonjusha A. ndjeu një pështirosje te paprovuar. Asnjë nga rekomandueset nuk i kishte pëlqyer. Ato nuk përbënin aspak imazhin e zonjushës së papërlyer të fantazisë së saj. Veç kësaj, asnjë nga ato nuk kishte kaluar nëpër gjithë ato sprova që kishte kaluar ajo; as u ishte dashur të prisnin kaq shumë vite.

I erdhi për të vjellë dhe u sul drejt një banje që i treguan. Ndenji goxha atje. Stomaku i saj nuk kishte shumë për të nxjerrë, por neveria ishte e madhe, e pashqitshme. Kur ishte qetësuar dhe e kishte mbledhur veten disi, kishte freskuar dhe një herë fytyrën me ujë dhe po shikohej në pasqyrë.

Pamja e tronditi. Pasqyra e vogël tregonte atë që nuk mund të fshihej më: nuk ishte më një zonjushë. Ndërsa një pasqyrë e vockël brenda saj, i thoshte se... nuk ishte (nje zonjushë) e papërlyer...


---


Ll. K.

(C) Shënim Antiplagjiaturë: Autori ruan të gjitha drejtat e të gjithë shkrimeve në këtë blog. (All rights are reserved. Please do not plagiarise; do not copy or take any text from this blog, without the author's permission.)

Page copy protected against web site content infringement by Copyscape

Monday 12 January 2009

Indiferent për shumë gjëra

Indiferent për shumë gjëra,
rri i mbërthyer në mendime, zakonisht shterpe.

Nuk bëra sa mundem.
Dhe vazhdoj të mos bëj.
Të mbijetosh e të ngelesh njeri,
duhet të luftosh e të paguash përditë.

E unë s'linda hero. As koha e heronjve është.
Është koha e farisejve dhe çapaçulevë.

Me vullnetin tonë, thonë,
u bënë deputetë, kryeministra, presidentë.

Për të mirën tonë, thonë,
me përkushtim, qëndrojnë në pushtet.

Gjithë të mirat e botës na premtojnë,
të kësaj dhe të botës përtej;
dhe herë pas here,
na dhurojnë ndonjë kafshitë a gjysmagjel.

(Sigurisht, për të tjerët thonë,
kush e çapaçulosi këtë botë...)

Të tilla them, tek rri i mbërthyer në mendime,
(këto dhe të tjera);
indiferent për shumë gjëra...

por jo për ato që gjithmonë i desha.

Monday 5 January 2009

Dikush do të mbretërojë i lumtur

Në shtetin e vogël V., një shtet i madh hapi një shkollë të mesme. Shkolla ishte me konvikt dhe, siç dihet, çdo konvikt ka dhe mensën e vet.
Mensa ishte ngjitur me konviktin, por hyrja e nxënësve bëhej nga një derë e jashtme. Nxënësit rreshtoheshin sipas klasave dhe hynin brenda me regull e qetësi. Në anën e majtë të katërkëndëshit të mensës ishte një korridor i gjerë që të çonte në sportelin e kuzhinës, ndërsa nga ana e djathtë, pas çdo rrshti me ca kolona të gjera, ishin dy rreshta me tavolina e stola të gjatë, për 8 veta secila.
Menuja e zakonshme ishte:
Mëngjes: çaj e djathë.
Drekë: pjata e parë - gjellë me mish ose fasule, pjata e dytë - pilaf ose makarona.
Darkë: supë me makarona ose oriz (ose kos, herë-herë).
Mirëpo të huajt vunë re se njerëzit e këtij vendi konsumonin shumë bukë. Për të përballuar këtë, ata menduan dhe hoqën nga dreka pjatën e dytë (pilaf ose makarona).
Askush nuk u ndie.
Pastaj erdhën kohë të vështira. Kriza botërore nuk mund të mos ndihej edhe në këtë vend të vogël. Fondet ishin pakësuar. Rrugëzgjidhja: të hiqej artikulli i djathit në mëngjes.
Askush nuk u ndie.
Më vonë, kohë më të vështira akoma. Shtetet po përgatiteshin për luftë. Përsëri, fondet u ulën. Mos duhej mbyllur shkolla? Jo akoma. Do të heqim artikullin e mishit nga dreka.
Askush nuk u ndie.
"Jemi që jemi, - thanë të huajt, - Nuk bëjmë dhe një eksperiment? Të heqim edhe darkën? Do të mund të flenë dhe më mirë.
Përsëri, askush nuk u ndie.
Atëhere, të huajt, pasi u siguruan mirë e mirë, folën me entuziazëm:
-Uria po suportohet... Lum kush do të mbretërojë në këtë vend!


---


Ll. K.

(C) Shënim Antiplagjiaturë: Autori ruan të gjitha drejtat e të gjithë shkrimeve në këtë blog. (All rights are reserved. Please do not plagiarise; do not copy or take any text from this blog, without the author's permission.)

Page copy protected against web site content infringement by Copyscape

Wednesday 31 December 2008

Nga sheshi i Gajdes tek Luçiferri

Nga sheshi i Gajdes tek Luçiferri

Të kaloja nga rruga e firmave më ishte bërë si cigarja. Kaloja nga Fasulja, merrja Bananet dhe drejt e tek Firmat. Secila me nga një shesh përpara.
Atë ditë u gjenda tek sheshi i Gajdes. Gjëmonte sheshi nga defi dhe gajdja. Në shesh kërcenin ca romë. Pastaj të tjerë, shumë të tjerë. Të bardhë, të zinj, të verdhë, bile dhe të kuqë. Kërcenin. Kërcenin cmendurisht. "Paguan Gajdja", - thoshin. Hodha sytë nga hyrja. Emblema ishte një def dhe nje gajde natyrale, nga dilnin tingujt e këngës "Dhamë e dhamë" e stilizuar sipas një ritmi rrok:

Dhamë e dhamë,
dhamë more dhamë.

Duart, që luanin, nuk dukej se të kujt ishin. Njeriu ishte i mbuluar nga gajdja. Po kështu për defin. Njerezit kërcenin e kërcenin. Qull në djersë.

-Kur mbaron? - pyeta
-Kur të thotë Kopetenti, - më thanë.
-Kush është Kopetenti?
-Kopetenti është Kopetenti, - morra përgjigjen.
-Po si e ka emrin?
-Kopetenti, pra. Dhe këput qafën se na çave ..., - më shfryu një figurë e frikshme.

Hodha sytë nga emblema. Defi ishte zhdukur. Gajdja ishte shfryrë. Ç'kishte ndodhur...?

Vazhdova rrugën e firmave. Më tej ishte Luçiferri. Nëpërmjet një portreti të madh, presidenti i firmës rrezatonte besim dhe mirësi. Njerëzit, në një varg të gjatë, i drejtoheshin grykës së një tuneli të errët.

-Kush është i fundit? - pyeta.
-Tek dalja, - më thanë.
-Po njerëzit atje dalin...?
-Marrin fitimet dhe i futin prapë, - më sqaruan.
Shkova zura radhë. Pas pak erdhi dhe Koço Devole me shokët e estradës. "Ç'farë ka? Ç'farë ka?" - pyeti ai.
Fundi i tij i keq, në një skeç për firmat, më bëri që ta lija radhën. Ika, por përsëri dilema ishte e madhe: "T'i fus? Të mos i fus?"

Nuk e di si u pengova dhe përplasa kokën në çantën e një gruaje. Ajo na qënkej plot me para. U derdhën sheshit. Unë mendova se ishin të miat dhe fillova t'i mbledh. Britmat "Hajdutët! Më vodhën! Ndihmë!" më bën të kuptoj të vërtetën. Dy policë po vinin me vrap.

Një taksi qe shpëtimi im.
-Për në Greqi! - thashë.
Nuk mbaj mend asgjë nga udhëtimi. U gjenda në një sallë të madhe.
-Do të bëhesh sekser, - më thanë, - sekser femrash.
-Ç'do të thotë kjo?
-Do të thotë të gjesh femra në Shqipëri për t'i punësuar në Greqi.
-Pse, nuk jemi në Greqi?
-Jo, jemi në Shqipëri. Je i martuar?
-Jo.
-I fejuar?
-Jo.
-Ndonjë të dashur?
-Si të them...
-Mund ta sjellësh. Ta punësojmë ne. Dhe do të paguhet mirë.
Disa vajza, që silleshin rrotull, me një veshje dhe sjellje të posaçme, më bën të kuptoj thelbin e bisedës.
-Jo, jo! - klitha. - Nuk dua.
Dhe u turra jashtë.
Çuditërisht, e pashë veten pa këpucë.
-Po këpucët? - pyeta
-Nuk dimë gjë, -më thanë.
-Njeri m'u afrua dhe më tha me zë të ulët:
-T'i ka marrë ambasadori H. Osbeik
-Ç'ne?!
-Do t'ia çoj si dhuratë zonjës Pfaifer.

Zbathur vrapova të kap një autobus. Mirëpo ai u nis. Renda pas tij. Një veturë vinte pas meje dhe i binte borisë. Rashë dhe rrotat e veturës përshkuan trupin tim. Një bori tjetër, e zgjatur, më shpëtoi nga përjetimi i mëtejshëm i asaj ëndrre të keqe.

---

Ll. K.

(C) Shënim Antiplagjiaturë: Autori ruan të gjitha drejtat e të gjithë shkrimeve në këtë blog. (All rights are reserved. Please do not plagiarise; do not copy or take any text from this blog, without the author's permission.)

Page copy protected against web site content infringement by Copyscape

Friday 26 December 2008

(C) - Shënim antiplagjiaturë:

Autori ruan të gjitha drejtat e të gjithë shkrimeve në këtë blog. (All rights are reserved. Please do not plagiarise; do not copy or take any text from this blog, without the author's permission.)

Page copy protected against web site content infringement by Copyscape

Ylli Polar

Ylli Polar


Shumë here e kërkova,
por asnjëherë s’e gjeta Yllin Polar.

Nuk ishte kohë për romantizma,
për netë me hënë e yje...

Por Yllin Polar e kërkova.
Të kapesha prej bishtit të Arushës së Vogël
Dhe të udhëtoja për në vendin tim.


Kretë, 2005

---

Ll. K.

Besoj yllin tim

Besoj yllin tim


Një yll plot shkëlqim ndriçon mbishkrimin
me shkronja të mëdha:
KETU ESHTE QENDRA E BOTES...

Por unë i besoj yllit tim. Ai ndriçon
tjetër mbishkrim:
Ajo është Antarktida.

Njeri! Poet! Ç’bën akoma?
Kthehu! Kthehu!
U thuaj lamtumirë netëve polare!


1992

---

Ll. K.

Anës detit

Anës detit


Një pellgaçe
kërkoj
për të fikur cigaren...

nga frika mos djeg detin.


1999

---

Ll. K.

Deti në gjumë

Deti në gjumë


Po fle deti.

Tej po tretet Sazani
në avujt e tij.

---

Ll. K.

Zgjimi i detit

Zgjimi i detit


U zgjua deti, ballin e ngrysi.
Në sipërfaqen e tij,
dielli u thye
në copë
një mijë.

---

Ll. K.

Anës detit me ty

Anës detit me ty


Mbështetur te njëri-tjetri,
si deti me token,
për një çast ne i humbëm fjalët.

Vura veshin
dhe ndjeva
rrahjet
e valëve
në brigjet e shpirtrave tona.

---

Ll. K.

Me kujtimesh

Me kujtimesh


(Shokëve të shkollës)

Qytetin,
me qindra kilometra,
dhe kohën,
disa vite
larg.
Mbi shpinë të kujtimeve i mbarta,
i afrova fare pranë.

Dhe vite të shumta do të rrjedhin,
mes kujtimesh,
ne prapë do të rendim;
mes shoqesh e shokësh të dashur,
kohët e rinisë
t’i kapim, t’i prekim.

---

Ll. K.

Një buzëmbrëmje vere

Një buzëmbrëmje vere


Për të bërë një peizazh,
këtë buzëmbrëmje
të butë vere,
më mjaftoka të hap derën
e shtëpisë ku banoj.

Përmes degëve
e fletëve
të hardhisë,
duken shtëpitë e bardha, rrëzë shkëmbijsh murrashë.
Pemët gjelbëroshe,
kaq herët,
kokën kanë mbështetur
mbi jastëkë çatish.

Brenda dhomës ndiej
të ketë hyrë
një pjesë e Botës sime. Dhe unë,
sic i behet korniza një peisazhi,
vetëm sa hoqa vizat në kasën e derës, dola jashtë
dhe e vara këtë tablo
tutje në horizont,
në një mur të kësaj Bote.

---

Ll. K.

(Malevonia) - Nga bie kjo Malevonia?

Nga bie kjo Malevonia?

Herë - imja, herë - e huaj;
herë - e afërt, herë - e largët;
herë - e sotme, herë - e shkuar...

E pakapshme...
si zhivë e derdhur.

---

Ll. K.

(Malevonia) - Sovrani i Madh

Sovrani i Madh

Tek Sovrani i Madh, vajti
sovrani popull, që të ankohet
për të këqijat që po vuante,
si mallkim.

Sovrani mëshirëplotë premtoi:
Do të ketë lehtësim.
Mund të zgjedhin mes Lebrës
dhe Barbarëve...

Amin!


2006

---

Ll. K.

Malevoni, 1005 plus 1000

Në vitin 1005 plus një mijë
populli i Malevonisë u ftua të bënte zgjedhjen e tij...

Në vend kishte rënë epidemia e lebrës.

Ishin të sëmurët që shkuan të parët,
me shpresën se do të shpëtojnë prej saj.
Rrugës, një fantazmë u dilte përpara,
fantazma e pak viteve më parë, plot barbarizma.
Ziheshin me njëri-tjetrin, dhe me veten.

Të shëndoshët thoshin se ishin të imunizuar,
ose... epidemi është dhe do të kalojë...
Barbarinë refuzuan, Lebrën preferuan.

Dhe mbrojti secili me fanatizëm zgjedhjen e vet:
të keqen më të vogël, sipas tyre...


2006

---

Ll. K.

Të magjepsur pas figurave gjeometrike

Të magjepsur pas figurave gjeometrike

Para një shekulli,
të magjepsur prej figurave gjeometrike,
evropianët vizatuan një gjashtëkëndësh.
Ajo është Shqipëria.

Një shekull më pas,
një figurë tjetër gjeometrike
mendojnë të vizatojnë.
Ndoshta, një romb...

Me sa duket,
para parimeve estetike të patricëve të nderuar,
nuk ka rëndësi
vullneti i një populli të copëtuar.


2006

---

Ll. K.

(Malevonia) - Ata përgjërohen

Ata përgjërohen


Ata përgjërohen për të vërtetën
dhe e kryqëzojnë atë përditë

Mbushet Kutia e Pandorës, i zmadhojnë përmasat.
E prapë e prapë.

Por E vërteta djeg, djeg e përvëlon...
Kush skuqet, kush zverdhet? Rroba e zezë
as kuqet, as verdhet.

Një rrobë
që imponuan
të huajt.


---

Ll. K.

13 vargje - Vetëm për Malevonezët -

Prej sa e sa kohësh popujt e Rajonit
ia kishin parë hairin ilaçit Patrium,
një lloj viagre për të rritur atdhetarinë.
Vetëm malevonezët e kishin injoruar.

Së fundi e kishin ndier edhe ata lezetin,
filluan përdorimin, filluan porositë.

U prish terezia, u prish dhe qetësia.
‟Kujdes malevonezët!„ - u ngrit dhe thirri
Oktapodh Tentakulgjati i nderuar.
Por s'mund të ndalonin shitjen e ilaçit
çudibërës. U menduan, u menduan...
Dhe e gjetën zgjidhjen: ‟Vetëm për Malevoni„,
vunë etiketë në një ilaç të skaduar.

---

Ll. K.

Zonja Pak

Zonja Pak


Evroparlamentarja Pak ishte mërzitur,
tamam si një nënë e mire,
me fëmijët parlamentarë shqiptarë.

Zihen për një kuti votimi... Fëmijë janë...
Ah, fëmi të prapë,
fëmijë 60-vjecarë!

Por gjithnjë nëna Pak e njeh të mirin,
e njeh dhe të ligun.

Njërit, gjithmonë i heq veshin;
tjetrin, gjithmonë e përkëdhel.

---

Ll. K.

Të lodhëm, Zonja Pak

Të lodhëm, Zonja Pak

Gjithmonë pranë...
Si Tranzicioni që hamë.

Të lodhëm, zonja Pak!
Por dhe ti -
jo pak...

---

Ll. K.

Me vendim qytetari të lirë

Me vendim qytetari të lirë

Më kot prita për sovranë e perëndi...
se nuk po duket të mbarojë
ky tranzicion plot lemeri.

Me një vendim qytetari të lirë,
që sot, i them "Jashtë prej meje!"
me këtë poezi.

---

Ll. K.

Tranzicion

Tranzicion

Në hapësirën e ëndrrave rendim.
Rendim në labirintin e dëshirave.

Presim në udhëkryqin e mendimeve.
Presim në stacionin e shpresave.

Rendim e presim...
E s'po vjen ky kodosh Godo, as i njohur, as i parë.

Nga vrapi u bëmë atletë.
Nga pritja u bëmë plakushë.

Vallë do të vijë?

---

Ll. K.

"Trieste"

"Trieste"

Kisha dëgjuar për "Triesten"...
(Vallë ka dëgjuar Pak-Solana?)
Dje foli troc Nano-Berisha,
në Pallatin për Brigada:

-"Trieste" është IN-STI-TU-CI-ON(!)...
......................................
(Vallë e dëgjoi Pak-Solana?)
...ku ndahen esnafce KOLL-TU-KET(!)...
...ndahen ofiqe me CER-TI-FI-KA-TA(!)...
.......................................-

Jemi prapë te Nëntëdhjeta...
(Ta dëgjojë dhe Pak-Solana!)
S'bëhet, jo, Demokracia,
me "Trieste" dhe Certifikata.

Zonja Pak godet përsëri

Zonja Pak godet përsëri

Zonja Pak heq dorashkat diplomatike
dhe godet përsëri. Kësaj radhe të çmendurit
dhe të paturpshmit - përsëri shqiptarët...

Bëj çudi! Zoti Mustafai flet gjithmonë
në gjuhën e saj. Pse të keqkuptohet?!

Ah, më falni! Kësaj radhe keqkuptimi
është imi: Mustafai kishte folur shqip(!)
dhe kjo gjë, pa dyshim,
është turp e çmenduri...

---

Ll. K.

(Malevonia) - Nga bie kjo Malevonia?

Nga bie kjo Malevonia?

Herë - imja, herë - e huaj;
herë - e afërt, herë - e largët;
herë - e sotme, herë - e shkuar...

E pakapshme...
si zhivë e derdhur.

---

Ll. K.

Koment i shkurtër për një peizazh

Koment i shkurtër për një peizazh

Mot i lagësht, me gjëmime.

Diku humbasin
e diku shtohen
elektronet. Qiell i jonizuar.

Shkreptin. Mes dy reve,
vijë e qartë
demarkacioni.

Kohë e lagësht.
Diku humbasin
e diku shtohen
elektronet. Diku marrin emrin
e parave
e diku emrin e pronës.

Kohë e lagësht.
Botë e jonizuar.

(C) - Shënim antiplagjiaturë:

Autori ruan të drejtat e të gjithë shkrimeve në këtë blog. (All rights are reserved. Please do not plagiarise; do not copy or take any text from this blog, without the author's permission.)

Page copy protected against web site content infringement by Copyscape

(Tranzicion) - Zonja Pak

Zonja Pak


Evroparlamentarja Pak ishte mërzitur,
tamam si një nënë e mire,
me fëmijët parlamentarë shqiptarë.

Zihen për një kuti votimi... Fëmijë janë...
Ah, fëmi të prapë,
fëmijë 60-vjecarë!

Por gjithnjë nëna Pak e njeh të mirin,
e njeh dhe të ligun.

Njërit, gjithmonë i heq veshin;
tjetrin, gjithmonë e përkëdhel.


2006

(Tranzicion) - Për Integrimin

Për Integrimin


Për shpirtin e ndarë më dysh..
më tresh a më katërsh...
unë i them Po Integrimit.

Pë horizontet e mbyllura të Botës,
për Murin e turpshëm të Be Shengenit,
pa mëdyshje i them Po Integrimit.

Për qumështin e munguar të fëmijës,
për frutin e keq të Pemës së Mjerimit,
i them Po Integrimit.

Për ngjyrat e Jetës, që s’i njoha,
për librin e munguar të Kafkës,
për fjalën e pathënë,
për vlerën e përbuzur,
për Ëndrrën e paguxuar,
pa mëdyshje i them Po Integrimit.

Por... (Gjithmonë ka një Por,
Gjithmonë ka një pyetje.)

Pra:... përse veten duhet ta shajmë,
me rrënjë e dhëmballë?

Ose: Kur të kemi shitur token, ajrin, detin;
kur të kemi hapur varret...
për të shitur eshtrat, dinjitetin,
c’do të na ngelet kur të arrijmë Komunitetin?


2006

Ëndrra

Ëndrra


Në detin e kohës shtrihemi si në ditë vere
dhe s’ankohemi për mungesën e saj.

S’ankohemi, përkundrazi: kërkojmë ta vrasim,
se na mbyt bollëku i saj.

Vetëm për një gjë s’na mjafton:
Ëndrrën të jetojmë.


1991

(Fosile) - Një e diel

Një e diel


Do të cohem kur shtrati të më thotë: “Cohu!”
Gruas do t’i kërkoj rezervën e fundit të kafesë;
do të kërkoj ta shoqëroj me cigare e raki,
ndonëse kam kohë që i kam prerë.

Gjithë takëmin e së dielës do të kërkoj,
që në mëngjes deri në mbrëmje vonë,
në këtë të diel që cuditërisht,
në asnjë plan masash s’figuron*.

1988

* Organizata të masave planifikonin aktivitete të ndryshme edhe të dielave, dita e vetme e pushimit javor. Mospjesëmarrja kritikohej ashpër si shprehje e rehatësisë mikroborgjeze

(Fosile) - Epoka e shefave

Epoka e shefave


Mirëmëngjesi, shoku shef!
Si u gdhitë, shoku shef?
Ju urojmë shëndet, shoku shef!

Ah, këta shefat!
Gjithmonë e më të shëndetshëm!
Gjithmonë e më të pushtetshëm!

Gjithandej shefa.
Shefa të mëdhenj...
Shefa të vegjël...
Por gjithsesi shefa.

Shef... shef... shef... Tërë ditën
Fryn era e shefave.

Për shiun

Për shiun


Shiu nuk është vetëm jetëdhënës.

Pyjeve, parqeve, shëtitoreve,
kam parë pika shiu
që kapen
e varen në halat e pishave,

për të mos rënë në kurrizin e njerëzve.

Një buzëmbrëmje vere

Një buzëmbrëmje vere


Për të bërë një peisazh,
këtë buzëmbrëmje
të butë vere,
më mjaftoka të hap derën
e shtëpisë ku banoj.

Përmes degëve
e fletëve
të hardhisë,
duken shtëpitë e bardha, rrëzë shkëmbijsh murrashë.
Pemët gjelbëroshe,
kaq herët,
kokën kanë mbështetur
mbi jastëkë çatish.

Brenda dhomës ndiej
të ketë hyrë
një pjesë e Botës sime. Dhe unë,
sic i behet korniza një peisazhi,
vetëm sa hoqa vizat në kasën e derës, dola jashtë
dhe e vara këtë tablo
tutje në horizont,
në një mur të kësaj Bote.

(C) - Shënim antiplagjiaturë:

Autori ruan të drejtat e të gjithë shkrimeve në këtë blog. (All rights are reserved. Please do not plagiarise; do not copy or take any text from this blog, without the author's permission.)

Page copy protected against web site content infringement by Copyscape

Pikat e horizontit në Kretë

Pikat e horizontit në Kretë


Kthehem nga Veriu
dhe ngrihem në majë të gishtave, mos shoh ndonjë kreshtë
nga malet e vendit tim.

Shikoj perëndimin e Diellit
dhe ndiej se Karaburuni është aty.

Drejtohem nga Jugu
dhe ndiej një zë që më porosit:
“Veri gjoksin erës!”

Në agim hedh sytë nga Lindja
dhe them: “Pas një ore,
Dielli do të ndricojë dhe në vendin tim”.


1997

Mes kujtimesh

Me kujtimesh

(Shokëve të shkollës)

Qytetin,
me qindra kilometra,
dhe kohën,
disa vite
larg.

Mbi shpinë të kujtimeve i mbarta,
i afrova fare pranë.

Dhe vite të shumta do të rrjedhin,
mes kujtimesh,
ne prapë do të rendim;
mes shoqesh e shokësh të dashur,
kohët e rinisë
t’i kapim, t’i prekim.

Thursday 25 December 2008

Besoj yllin tim

Besoj yllin tim


Një yll plot shkëlqim ndricon mbishkrimin
me shkronja të mëdha:
KETU ESHTE QENDRA E BOTES...

Por unë i besoj yllit tim. Ai ndricon
tjetër mbishkrim:
Ajo është Antarktida.

Njeri! Poet! Ç’bën akoma?
Kthehu! Kthehu!
U thuaj lamtumirë netëve polare!


1992

Ylli Polar

Ylli Polar


Shumë here e kërkova,
por asnjëherë s’e gjeta Yllin Polar.

Nuk ishte kohë për romantizma,
për netë me hënë e yje...

Por Yllin Polar e kërkova.
Të kapesha prej bishtit të Arushës së Vogël
Dhe të udhëtoja për në vendin tim.


Kretë, 2005